Shkolla “Beqir Çela”, ushtron aktivitetin e saj në ish mjediset e shkollës mekanike bujqësore Shkozet Durrës, (hapur më 1 shtator 1961). Në vitin 1969, inaugurohet ndërtesa e re e shkollës mekanike bujqësore.

Pas viteve 90, si rezultat i mungesës së investimeve dhe ndryshimeve politike dhe të strukturës ekonomike, shumë shkolla profesionale u mbyllën, një prej tyre edhe shkolla mekanike bujqësore.

Në vitin 1993 nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Zvicerane, në ndihmë të arsimit profesional, që mundësoi ristrukturimin e shkollës mekanike bujqësore, në përshtatje me kërkesat e ekonomisë së tregut.

Me ndihmën e fondacionit Swisscontact u realizua rikonstruksioni i plotë në tre faza:

 

Faza e parë 1994 - 1997

Në shtator të ‘1994, hapen profilet  profesionale 3 vjeçare në dy degë.

  • Auto - agromekanikë
  • Elektro- mekanikë

 

E strukturuar sipas një koncepti bashkëkohor, me qëllim përgatitjen e specialistëve të kualifikuar që ingranohen menjëherë në tregun e punës, ristrukturimi u mbështet në tre drejtime kryesore.

  1. Përcaktimi i strukturës mësimore;
  2. Rikonstruksioni i infrastrukturës ndërtimore të ofiçinës (përfshi dhe plotësimin me bazë materiale e mësimore);
  3. Trajnimin e stafit specialist.

 

Për herë të parë u përdor struktura mësimore me dy nivele, qendror dhe shkollor, e cila i krijon mundësinë shkollës për të qenë me atraktive dhe fleksibël me zhvillimet që pësonte teknika dhe teknologjia e këtyre profesioneve.

 

Faza e dytë 1998 - 2001

Moto e kësaj faze ishte: Jo vetëm shkollë por dhe Qendër trajnimi dhe formimi profesional.

 

Shkolla jo vetëm duhej të përgatiste specialistë të aftë për kërkesat e tregut të punës, por duke shfrytëzuar potencialin e saj njerëzor dhe infrastrukturën mësimore të zhvillonte kompetencat nëpërmjet:

  1. Hapjes së kurseve afatshkurtra për të papunët;
  2. Realizimit të riparimeve dhe shërbimeve sipas profileve të saj për të tretë;
  3. Modernizimit të kurikulës për degën e Auto- agromekanikë.

 

U hapën mjaft kurse afatshkurtra, në profilet:

  • Saldator;
  • Instalues të pajisjeve elektrike;
  • Riparues Elektroshtëpiakë
  • Motorist etj.

 

Gjatë kësaj periudhe me shumë interes ishte bashkëpunimi me zyrën e punës në drejtim të aftësimit të të papunëve me një nga specialitetet e sipërme.

 

Faza e tretë 2001 - 2004

Qëllimi i kësaj faze ishte:

  1. Konsolidimi i arritjeve në dy fazat e para.
  2. Rritja e vetëveprimit të shkollës.
  3. Forcimi i bashkëpunimit me biznesin profesionist.

 

Pas përfundimit të fazës së tretë, që ishte dhe faza përmbyllëse e ndihmës zvicerane, kërkohej që shkolla të ishte e aftë të përgatiste projekte për zhvillimin dhe përparimin e saj, në përshtatje me zhvillimet e reja teknike dhe teknologjike të kohës, të krijonte lidhje të ndërsjellat me biznesin etj.

 

Gjatë kësaj faze u realizuan:

  1. Marrëveshja e bashkëpunimit me biznesin në prill ’2004.
  2. Modernizimi i kurrikulës për degën Elektromekanikë.
  3. Ristrukturimi i repartit të saldimit.
  4. Ristrukturimi i repartit të teknikës së komandimit.
  5. Ristrukturimi i repartit të teknikës së instalimit.
  6. Trajnimi nepermjet punes i mësuesve të praktikës për degën e Auto.
  7. Ngritja për herë të parë e qendrës së multimedias.
  8. Instalimi i qendrës së zërit.
  9. Ngritja e kabinetit të informatikës.

Theksojmë se pas vitit 2004 si rezultat i përvojës së fituar gjatë 3 fazave 1994 - 2004 shkolla ka përgatitur disa projekte si p.sh. Në vitin 2005 realizohet projekti për  futjen në kurrikulën e degës së hidraulikës sistemin e ngrohjes dhe ftohjes Fancoil, shoqëruar dhe me bazën materiale për zhvillimin e praktikave. Në vitin 2006 realizohet projekti i modernizimit të tre kabineteve. 1.Automeknikës 2.Elektronikës 3. Vizatimit teknik. Në vitin 2008 realizohet projekti i informatizimit të menaxhimit të shkollës, i cili bëri të mundur që shkolla të ketë rrjet të brendshem kompjuterik, cdo kabinet dhe repart të jetë i paisur me kompjuter dhe me internet, duke i dhënë mundësinë secilit mësues tv realizoje mësime virtuale dhe të navigojë në cdo moment në internet.

 

Duke filluar nga viti mësimor 2009 - 2010 shkolla “B. Çela”, nuk është më një shkollë 3 vjeçare por një shkollë e arsimit të mesëm profesional.

 

Shkolla punon me kurrikula të reja dhe me një strukturë mësimore 2+1+1, e cila mundëson përgatitjen e specialistëve të mesëm me nivel të lartë, e që kanë mundësi të vazhdojnë dhe arsimin e lartë.

 

Në shkollë funksionojnë këto Drejtime:

  • Shërbime Mjetesh Transporti (1994 - 1995);
  • Elektromekanikë (1994 – 1995);
  • Instaluesi i pajisjeve hidrosanitare dhe ngrohëse (2002 - 2003);
  • Teknologji informacioni dhe komunikimi (2009 - 2010);
  • Pas të mesëm në Informatikë praktikë (2011 – 2012)
  • Diagnostifikimi i mjeteve Motorike( Kurs një vjeçar) 2014-2015
  • Multimedia(Kurs një vjeçar) 2014-2015

 

Gjatë periudhës 1994 – 2012 shkolla është vlerësuar për performancë mjaft të mirë që konsiston në:

  • Rritjen vazhdueshme të kërkesave për regjistrime në vitet e para. Në vitin mësimor 2009-2010, numri i nxënësve ishte 521, në vitin e parë janë regjistruar 243 nxënës. Në vitin shkollor 2012-2013, numri i nxënësve të regjistruar në vitin e parë ishte 446, ndërsa janë 1134 nxënës që vazhdojnë shkollën.
  • Kërkesën nga biznesi për nxënësit e shkollës që në vit të tretë,
  • Bashkëpunim mjaft të mirë me biznesin profesionist. Aktualisht shkolla ka bashkëpunime me 37 biznese.

 

Pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, stafi mësimor i shkollës është i vetëdijshëm se ka akoma shumë për të bërë, për të ecur me të njëjtin hap që kërkojnë zhvillimet teknologjike të profesioneve. Shkolla ka nevojë për modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturës së zhvillimit të lëndëve të përgjithshme e profesionale, me laboratorë dhe kabinete të praktikave profesionale, materiale të tjera mësimore si dhe për trajnime specifike në drejtim të profesioneve që ka shkolla etj.